Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka reaguar ditën e sotm për denoncimin e bërë nga Miftar Dauti, kandidati i koalicionit Meta-Berisha në Has, i cili akuzonte kandidatin e PS se po përpiqej të blinte votat në qytet duke shpërndarë pako ushqimore.

 

Në një postim në rrjete sociale, Majko i quajti këto akuza një fantazi të kandidatit të koalicionit Meta-Berisha dhe shtoi se diçka e tillë nuk mund të ndodhë në një mbrëmje të shenjtë siç është ‘Nata e Kadrit’ pasi në gjuhën e fesë konsiderohet si haram.

 

“Në Has, natën e shenjtë të Kadrit aludimet se kandidati i Partisë Socialiste po blinte vota me 21 pako me ushqime, kanë marrë të tatepjetën! Fantazia nuk ka limit, sa ka media që ju kanë dhuruar sot titullin kryesor!

 

Në se lajmi që në një natë të shenjtë po “blehen” vota do të ishte e vërtetë, ajo në gjuhën e fesë quhet Harram!

 

“Profesionistët” e blerjes së votës e dinë se kjo, ndodh javën e fundit të fushatës!

 

Blerja e votës, nuk ndodh në një natë fetare! Vota, nuk blehet një muaj para datës së zgjedhjeve! Nuk blihen hasjanët për “ilac” rrobash!

 

Megjithatë, cdo akuzë ka kuptim edhe kur fyen qëllimin e natës së shenjtë! Për këtë ka një ligj të shkruar! Ai është për cilindo sot edhe nesër!

 

Hasjanët do vendosin me votë!

 

Vetëm përpara!”, tha Majko.