Policia e Gjirokastrës ka arrestuar 25-vjeçarin e shapllur në kërkim në kuadër të operacionit “Road Guard 69”.

 

Sipas njoftimit të Policisë, 25-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua mëngjesin e sotëm, ndërsa akuzohet se sëbashku me dy bashkëmoshatarë të tij po transportonin 8 emigrantë drejt kufirit për ti ndihmuar në kalimin ilegal të kufirit drejt vendeve të BE, kundrejt pagesës së 500 eurove për person.

 

“Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve që ishin implikuar në një rast të transportimit të 8 emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, të goditur nga Policia e Gjirokastrës, më datë 23.07.2023, në kuadër të operacionit policor të koduar “Road Guard 69”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, kanë lokalizuar në Krujë, kapur dhe ndaluar shtetasin G. M., 25 vjeç, banues në Krujë”, njofton Policia.

 

“25-vjeçari ishte shpallur në kërkim, pasi më datë 23.07.2023, në vendin e quajtur “Kthesa e fshatit Kodër”, sapo ka parë shërbimet e Policisë, ka braktisuar automjetin me të cilin po transportonte, kundrejt pagesës 500 euro/person, 8 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së”, njofton Policia.

 

“Gjithashtu, për këtë rast, dje, Policia e Gjirokastrës vuri në pranga shtetasit A. B. dhe A. K. që monitoronin duke lëvizur me automjet, aksin rrugor “Ura e Dragotit – Ura e Leklit”, përmes të cilit shtetasi G. M. transportonte emigrantët.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, përfundon Policia.