Një shpërthim me eksploziv në një automjet në lëvizje ndodhi ditën e djeshme në Shkozet të Durrësit, ku ende nuk ka asnjë të ndaluar.

 

 

I shënjestruari i sulmit me lëndë plasëse, Aldi Mustafa nuk i ka ndihmuar hetimet, pasi ka zgjedhur të heshtë duke deklaruar se nuk ka konflikte me askënd.

 

Ai ka thënë para oficerit të policisë gjyqësore se nuk ka pasur as kërcënime. Gjithsesi grupi hetimor është fokusuar në aktivitetin e tij të mëparshëm për të zbardhur ngjarjen. Mustafa njihet si person me precedentë penalë brenda dhe jashtë vendit.

 

 

Mustafa është banor i Shkozetit dhe sapo kishte dalë nga banesa e tij, pasdrekën e të hënës kur ka dëgjuar shpërthimin. Ai ka arritur të dalë nga mjeti pa lëndime, ndërkohë që sasia e eksplozivit të vendosur në mjet dhe e komanduar në distancë vlerësohet të ketë qenë një paralajmërim për të.

 

Grupi hetimor po përpiqet të analizojnë lëvizjet e dyshimta të fiksuara në kamerat e sigurisë së zonës. Lënda plasëse ishte vendosur në një nga gomat e pasme të automjetit tip Golf, në krahun e pasagjerit.

 

Burime nga prokuroria e Durrësit bëjnë me dije se nuk ka ende asnjë të dyshuar për ngjarjen.