Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat ndaluan shtetasin Shpëtim Lika, 51 vjeç, banues në Rukaj, Mat.

 

Ky shtetas është shpallur në kërkim në shtator të vitit 2016, në kuadër të një operacioni policor të zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

 

 

Gjatë operacionit, në fshatin Rremull, njësia administrative Rukaj, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në katër parcela, 4020 bimë cannabis sativa, ndërsa në afërsi të banesës së shtetasit Shpëtim Lika, në një përrua, u konstatua një hangar i ndërtuar me shtylla druri brenda të cilit kishte të varura, për t’u tharë, një sasi degësh të bimës cannabis sativa. Gjithashtu, 100 metra më lart, tek një banesë e pabanuar që administrohej nga shtetasi Shpëtim Lika u gjet një sasi tjetër degësh të bimës narkotike kanabis që ishin vendosur për t’u tharë, me peshë totale 3052 kg.

 

Nga hetimet ka rezultuar se autori i kultivimit dhe i prodhimit të lëndës narkotike kanabis, të gjetur dhe të sekuestruar gjatë operacionit, është shtetasi Shpëtim Lika.

 

Këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, e ka dënuar me 8 vjet burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Mat, për veprime të mëtejshme.