Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur sot se ka pranuar dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj pas kërkesës për shkaqe familjare.

 

Në një postim në rrjetet sociale, Kurti thekson se ka emëruar në këtë post, Ejup Maqedoncin.

 

Kurti falënderon ministrin Mehaj për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës.

 

“Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera. Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë”, shprehet kryeministri.

 

Maqedonci ishte oficer me përgjegjësi primare për ushtrimin e madh “Defender Europe 23”.

 

Ai ka përvojë të gjatë ushtarake dhe ka shërbyer edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. /KosovaPress/