Policia e Shqipërisë dhe Policia e Kosovës, po zhvillojnë patrullime të përbashkëta për të rritur parametrat e sigurisë në akset më të frekuentuara gjatë sezonit turistik.
Në një njoftim për mediat, bëhet me dije se në zbatim të Memorandumit të Bashkëpunimit, të lidhur ndërmjet Policisë Rrugore të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, që prej fillimit të muajit gusht, vijojnë të zhvillojnë patrullime të përbashkëta në Rrugën e Kombit, Lezhë, Durrës dhe në akse të tjera rrugore që lidhin zonat bregdetare të vendit.
Objektivat madhorë të patrullimeve të përbashkëta, janë bashkërendimi i burimeve policore dhe atyre logjistike, për parandalimin e aksidenteve dhe për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.
Këto objektiva synohet të përmbushen përmes: këshillimit, informimit të qytetarëve, turistëve dhe pushuesve, marrjes së masave për lehtësimin e qarkullimit rrugor dhe për shmangien e rradhëve të gjata, si dhe përmes konstatimit me mjete të teknologjisë bashkëkohore, dhe ndëshkimit konform ligjit, të shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.