Një 39 vjeçar në Tiranë është arrestuar pasi përvetësoi shuma të konsiderueshme parash, nëpërmjet mashtrimit, duke u premtuar tendera, biznesmenëve të ndryshëm.

 

Atij i janë sekuestruar 2 aparate celulare, kontrata dhe dokumente të ndryshme, të cilat i arrestuari i përdorte për skemën e tij të mashtrimit.

 

Njoftimi i policisë:

 

- Advertisement -

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Rinas, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “The eye”.

 

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit I. A. (K)., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

 

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, nga biznesmenë të ndryshëm, duke u prezantuar si zyrtar i lartë në institucione, dhe në këmbim të shumave monetare, iu ka premtuar atyre tendera të ndryshëm.

 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare, kontrata dhe dokumente të ndryshme të cilat autori i dyshuar i përdorte për skemën e tij të mashtrimit.

 

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.