Urgjenca e re në Spitalin e Vlorës ofron një standard bashkëkohor për qytetarët, por edhe turistët vendas e të huaj që mbushin qytetin bregdetar gjatë sezonit veror.

 

Kjo urgjencë është projekti i mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë, Bashkia Vlorë, Agenzia Italiana per la Cooperazione e Sviluppo, Centro Salute Globale (Regione Toscana) dhe Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, i cili përfshin urgjencën e spitalit të Vlorës dhe “Vlora me Zemër të Mbrojtur”.

 

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj në një postim në rrjetet sociale theksoi rëndësinë e fillimit të projektit “Me zemër të mbrojtur në në çdo bashki.

 

“Le të jetë qyteti i Vlorës pararoja e këtij projekti jetëshpëtues”, tha Brataj.

 

Duke renditur arsyet përse duhet të nisë ky projekt edhe në bashkitë e tjera, Brataj u shpreh se “çdo vit në Shqipëri rreth 3.000 njerëz(1 në 1.000 banorë), vdesin në mënyrë të papritur nga arresti kardiak. Kjo do të thotë se një qytet i vogël prej tre mijë banorësh zhduket çdo vit në Shqipëri! Rreth një e treta e arresteve kardiake ndodhin në vende publike, jashtë spitaleve. Në këtë moment janë 5 pika në qytet: Bashkia, Komisariati i policisë qendra historike, porti dhe lungomare”.

 

Sa i përket rëndësisë së masazhit kardiak dhe rolit të defibrilatorit, Brataj thekoi se “mbijetesa në arrest kardiak varet nga sa shpejt ofrohen shërbimet e urgjencës. Fillimi menjëherë i masazhit kardiak (shtypjeve të gjoksit) dhe përdorimi i defibrilatorëve gjysmë automatikë (AED), janë elementët që rrisin ndjeshëm probabilitetin që një person të mbijetojë pa paraqitur dëmtime serioze neurologjike. Qeliza cerebrale duron pa gjak dhe oksigjen 4-6 minuta. Nga minuta 6-10 fillojnë dëmtimet dhe pas 10 minutash ato bëhen të pakthyeshme, gjë që do të thotë që personi edhe nëse kthehet në jetë nuk do të zgjohet ndonjëherë. Fillohen menjëherë shtypjet e gjoksit dhe të përdoret defibrilatori”.

 

Sipas tij, do të ishte shumë e rëndësishme që kurset e reanimacionit kardiopulmonar të promovohen tek të rinjtë, duke filluar nga shkolla e mesme.

 

“Bërja e masazhit kardiak (shtypje gjoksi), edhe në mungesë të një defibrilatori, mund të ndihmojë në mbajtjen e pacientit në jetë ndërkohë që mbërrin ekipi i urgjencës. Vdekja e papritur në pjesën më të madhe të rasteve është rezultat i Infarktit Akut të Miokardit, i cili shkakton në 85% të rasteve dy aritmi vdekjeprurëse, Takikardia Ventrikulare pa puls dhe Fibrilacioni Ventrkular. Të dyja këto aritmi kanë nevojë për goditje elektrike. Pra, 85 persona në 100 kanë terapi të menjëherëshme goditjen elektrike, (defibrilimin) për shpëtimin e jetës”, nënvizoi Brataj.

 

Prandaj, shtoi Brataj, një element i rëndësishëm për të reduktuar vdekshmërinë në personat me arrest kardiak është përhapja dhe përdorimi korrekt i defibrilatorëve gjysmë automatikë.

 

Brataj tha se “gjithnjë e më shpesh këto pajisje duhet të jenë të pranishme në parqe në rrugë, institucione stadiume, porte dhe plazhe, aty ku ka fluks të madh njerëzish” .