Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,  Muhamet Rrumbullaku, zhvilloi sot një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Portual, Pirro Vengu, në kuadër të punës së kryer për menaxhimin e fluksit të vizitorëve dhe të turistëve që zgjedhin Shqipërinë.

 

Takimi,  gjithashtu vuri në qendër të diskutimeve, luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike, trafikimit të armëve, kundër kontrabandës, kalimit të shumave të konsiderueshme të parave që kanë si burim krimin, si dhe përpunimin e shpejtë dhe të saktë të të dhënave të shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin dhe shmangien e burokracive, për të lehtësuar maksimalisht lëvizjen dhe për të minimizuar koston kohore.

 

Gjatë diskutimit, Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet 3 institucioneve, dhe theksoi se menaxhimi shumë i mirë i lëvizjes së shumëfishuar gjatë sezonit turistik 2023, pa incidente dhe me rezultate konkrete, dëshmon një angazhim të të gjithëve, i cili jo vetëm duhet të vazhdojë me këto ritme deri në përfundim të sezonit turistik, por duhet të mbetet njësoj i qëndrueshëm dhe këmbëngulës edhe pas përfundimit të sezonit, duke qenë se pikat e kalimit kufitar përbëjnë një hallkë të rëndësishme të sigurisë publike.

 

Bashkëveprimi ndërmjet 3 institucioneve ka përfshirë kontrolle/skanime me metoda bashkëkohore, shkëmbim të informacioneve dhe ndërhyrje të përbashkëta.