Vrasja e një politikani tjetër në Ekuador, vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve presidenciale ka tronditur vendin e Andeve.

 

Pedro Briones, udhëheqësi i Revolución Ciudadana, lëvizja e ish-presidentit Rafael Correa, u qëllua për vdekje teksa qëndronte jashtë shtëpisë së tij në qytetin San Mateo, në provincën veriore të Esmeraldas.

 

Kandidatja presidenciale e së njëjtës parti, Luisa González, konfirmoi informacionin në rrjetin social Tëitter dhe shprehu keqardhjen për sulmin: “Ekuadori po përjeton epokën e tij më të përgjakshme. […] Solidariteti im shkon për familjen e shokut Pedro Briones”.

 

 

Briones ishte një udhëheqës politik i zonës së San Mateo de Esmeraldas. Pas pritës së disa personave me motor, sipas informacioneve të policisë, ai është dërguar në spital, ku ka ndërruar jetë.

 

Policia ka njoftuar se po vijon punën intensive për kapjen e autorëve të dyshuar për krimin e rëndë, i cili i shtohet vrasjes së kandidatit për president Fernando Villavicencio.

 

Villavicencio u qëllua për vdekje gjatë fushatës elektorale të mërkurën e kaluar. Ai njihej si një aktivist i palodhur kundër korrupsionit dhe gazetarisë investigative.

 

Ligjvënës në Asamblenë Kombëtare, ai kishte folur hapur për korrupsionin dhe dhunën e shkaktuar nga trafiku i drogës në vend.

 

Në një intervistë të dhënë për CNN në maj ai deklaronte se Ekuadori ishte bërë një “narkoshtet” dhe premtonte se do të drejtonte një luftë kundër asaj që e cilësonte si “mafia politike”.

 

Këto deklarata, puna e tij e mëparshme si gazetar investigativ dhe premtimet politike kundër korrupsionit, e bënë atë që të kishte shumë armiq të fuqishëm.

 

Vrasja e tij ndodhi të mërkurën teksa ai po largohej nga një tubim elektoral që kishte mbajtur në qytetin verior të Kuito.