Vendimi i masave të sigurisë nga GJKKO për 8 ish-zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë është firmosur nga gjyqtari Erjon Bani më datë 23 Qershor të këtij viti dhe është kërkuar që të ekzekutohen ditën e djeshme.
Mësohet se prokurori Kondili ka pasur informacione që jo të gjithë ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe e ka mbajtur sekret këtë vendim për të paktën gati dy muaj.
Kujtojmë se masa arrest me burg është caktuar për ish-zv.ministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj.
Ndërkohë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, u paraqit në SPAK disa javë më parë, pasi koncesioni u dha gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
SPAK e nisi hetimin për këtë koncesion në vitin 2019, pas një kallëzimi të depozituar nga ana e nismës “Thurje”. Hetimet kishin në fokus marrëveshjen mes ministrisë me kompaninë që fitoi koncesionin me vlerë 100 mln euro. Raportet e bëra ndër vite nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit të cilat kanë ngritur alarmin se ky koncesion po i shkaktonte një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit pasi kostot kishin nisur të rriteshin me 20-30% më shumë nga ç’ishin parashikuar në kontratë.
Mësohet po ashtu se në kontratën e lidhur mes ministrisë së asaj kohe me kompanitë që kishin fituar koncesionin ishte në favor të “Bashkimit të Operatorëve Ekonomikë” dhe jo të shtetit. SPAK përpos 8 urdhër arresteve të miratuara nga ana e gjykatës, vijon hetimet për çështjet pasi koncesioni është kryer në bazë të dokumentave, për të zbuluar se si u bë e gjithë procedura.