Personalitete të politikës vendore nga Schwabach, qytet në jug të Gjermanisë vizituan sot Beratin.
Gjatë vizitës në qytetin e një mbi një dritareve ata u pritën në takim nga kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo.
“Personalitetet nuk janë turistë të zakonshëm. Disa janë pjesë e këshillit bashkiak, disa ish-këshilltarë, nën/kryetarë që i njohin mirë dinamikat, sfidat, punët dhe gjithë organizimin e një qyteti”, theksoi Demo.
Kryebashkiaku Demo tha se këto ditë nëpër Shqipëri, ata kanë vizituar Tiranën, Vlorën, Gjirokastrën, Sarandën dhe tashmë panë nga afër edhe Beratin e kartolinave.
“Patën shumë pyetje për Shqipërinë, përzierë me një vështrim kritik pozitiv mbi ndryshimet që kanë ndodhur vitet e fundit. Një prej meraqeve të tyre është ruajtja e natyrës shqiptare, pavarësisht turizmit në rritje galopante”, tha Demo.
Qyteti 2400-vjeçar i Beratit, i njohur jo vetëm për bukurinë e tij të rrallë, por edhe për mikpritjen, vazhdon të zgjojë interesin e turistëve të huaj. Një numër i lartë i turistëve gjermanë vijojnë të zgjedhin vitet e fundit Shqipërinë për pushimet e tyre, duke e kthyer tregun gjerman ndër më të rëndësishmit për turizmin shqiptar./ata