Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari i bën thirrje SPAK që të ndërpresë pagesat për inceneratorin e Tiranës. Në një deklaratë për mediat, Braimllari hedh akuza ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, për të cilin thotë se është përgjegjësi kryesor i aferës së inceneratorit, por vazhdon ende të paguajë 29 euro për ton.
Braimllari thotë se SPAK duhet të godasë më lart dhe të shkojë deri tek Edi Rama dhe Erion Velaij, që sipas tij janë ideatorët kryesorë.
Deklarata e plotë
Erion Veliaj është përgjegjësi kryesor për mega aferën korruptive të inceneratorit të Tiranës. Heshtja e Erion Velisë tregon qartë përfshirjen e tij drejtpërdrejtë tek inceneratori i Tiranës. Firma e tij në kundërshtim me ligjin duke marrë kompetencat e këshillit bashkiak, duke dhënë miratimin për studimin e fizibilitetit e bën atë përgjegjësin e drejtpërdrejtë të kësaj afere korruptive.
Erion Veliaj në bashkëpunim me drejtorët e tij është i përfshirë drejtpërdrejtë në procedurën për dhënien me koncesion të inceneratorit të Tiranës, i cili vazhdon të vjedhë çdo ditë qytetarët e Tiranës. Erion Veliaj dhe stafi i tij i ngushtë janë tërësisht të lidhur me koncesionin 30-vjeçar të inceneratorit të Tiranës. Nga dita e parë që ky projekt mafioz filloi të zbatohej.
Erion Veliaj është përgjegjës për çdo pagesë që ka kryer Bashkia e Tiranës sepse ka qenë në dijeni të plotë që shërbimi që ofrohej nga inceneratori i Tiranës nuk ishte shërbimi që ishte parashikuar në kontratë. Por, Erion Veliaj vazhdon të paguajë 29 euro për ton.
SPAK duhet të ndalë sa më parë pagesat e Bashkisë së Tiranës dhe të gjithë bashkive të qarkut për një shërbim që nuk merret. Çdo ditë që kalon rëndon mbi xhepat e qytetarëve të Tiranës.
SPAK duhet të marrë sa më parë të pandehur kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Pasi çdo ditë që kalon këto veprime kriminale të kryera drejtpërdrejtë nga Erion Veliaj vazhdojnë të dëmtojnë çdo ditë qytetarët e Tiranës. Inkurajojmë SPAK-un që të shkojë sa më shpejt të Erion Veliaj që së bashku me Edi Ramën kanë ideuar skemën korruptive të inceneratorit.