Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet shëndetësore amerikane janë duke e vëzhguar nga afër një variant të ri të koronavirusit.
OBSH-ja e ka klasifikuar variantin e ri si nën vëzhgim “për shkak të numrit të madh (më shumë se 30) të mutacioneve që bart”, është thënë në buletinin e kësaj organizate për pandeminë.
Deri më tani, varianti i ri BA.2.86, është identifikuar në Izrael, Danimarkë dhe Shtetet e Bashkuara.
Qendrat amerikane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, kanë thënë, po ashtu, se janë duke e vëzhguar variantin.
Shumica e shteteve që kanë krijuar sisteme vëzhgimi për këtë virus, tashmë i kanë pezulluar të gjitha operacionet, duke thënë se koronavirusi nuk është më aq i ashpër dhe nuk ia vlen barra qiranë – veprim që është dënuar nga OBSH-ja, duke bërë thirrje për më shumë monitorim.
Në periudhën e fundit raportuese, në periudhën 17 korrik – 13 gusht, janë regjistruar më shumë se 1.4 milion raste të reja me koronavirus, bashkë me mbi 2.300 vdekje, sipas një deklarate të OBSH-së.