Arabia Saudite ka theksuar se vrasja e kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, gjatë vizitës së tij në Teheran, është një shkelje e hapur e sovranitetit të Iranit dhe përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonale.

Zëvendësministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Waleed Al-Khereiji, mbajti një fjalim në mbledhjen e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) të mbajtur në qytetin Xhide të Arabisë Saudite për të diskutuar sulmet e Izraelit kundër popullit të Palestinës dhe shkeljen ndaj sovranitetit të Iranit.

Al-Khereiji shprehu se administrata e Rijadit është e vetëdijshme për seriozitetin e ngjarjeve në rritje në territoret palestineze për shkak të sulmeve të dukshme dhe praktikave në kundërshtim me ligjin të Izraelit kundër popullit palestinez brenda dhe jashtë territoreve palestineze.

Zëvendësministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, vuri në dukje se vrasja e liderit të Hamasit, Haniyeh, gjatë vizitës së tij në Teheran, është një shkelje e hapur e sovranitetit, integritetit territorial, sigurisë kombëtare të Iranit dhe e së drejtës ndërkombëtare si dhe përbën kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonale.

Gjithashtu Al-Khereiji, bëri të ditur se duke u nisur nga qëndrimi i vendosur i Arabisë Saudite ndaj çështjes palestineze, ajo dënon sulmet e forcave izraelite kundër civilëve dhe refuzon çdo sulm ndaj sovranitetit të shteteve apo ndërhyje në punët e brendshme të çdo shteti.

Kreu i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh u vra më 31 korrik në Teheran, kryeqytetin e Iranit./aa