Kryeministri, Edi Rama, është takuar me homologun Kosovar, Albin Kurti në darkën e mikpritjes së kryeministrit slloven, Robert Golob, në vigjilje të Forumit Strategjik të Bledit që pritet të mbahet sot.

 

Pas shtrëngimit të duarve ata janë ulur pranë njëri-tjetrit në darkën e punës dhe shfaqen teksa bisedojnë edhe me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

 

Ky takim vjen teksa anulimi i mbledhjes së dy qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë që ishte planifikuar të mbahej më 14 qershor, kishte nxitur debate në distancë mes dy homologëve.

 

Kurti refuzoi ta takojë kur Rama shkoi në Prishtinë për ta njohur me draftin për asociacionin e komunave në veri të cilin ia kishte prezantuar kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit të Francës Emanuel Macron

 

Rama tha se nuk kishte asgjë personale, por nuk pajtohej me qëndrimet politike që Kurti mbante për situatën në veri, për të cilën kryeministri kosovar u kritikua edhe nga BE e SHBA.