Të paktën 63 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 40 janë trajtuar për lëndime pas një zjarri në një ndërtesë shumëkatëshe në qendër të Johannesburg, Afrika e Jugut, thanë mediat lokale.

 

Zëdhënësi i Shërbimeve të Menaxhimit të Emergjencave të Johanesburgut, Robert Mulaudzi tha se zjarri të enjten në mëngjes kishte djegur një ndërtesë të vendosur në distriktin qendror të biznesit të qytetit dhe numri i të vdekurve po vazhdonte të rritet me 63 trupa të gjetur nga vendi deri më tani.

 

“Ende po vazhdojmë me operacionin e kërkimit dhe rikuperimit”, tha Mulaudzi.

 

Të paktën një fëmijë ishte në mesin e të vdekurve dhe të plagosurit nga flakët po marrin trajtim në “institucione të ndryshme të kujdesit shëndetësor”, tha ai më herët.

 

Mulaudzi tha se ndërtesa ishte në fakt një “vendbanim informal” ku njerëzit e pastrehë ishin zhvendosur në kërkim të strehimit pa ndonjë marrëveshje zyrtare qiraje. Ai tha se kjo e bëri të vështirë për punonjësit e shpëtimit kërkimin e ndërtesës.

 

Mund të ketë pasur deri në 200 njerëz që jetonin në ndërtesë, thanë dëshmitarët. Autoritetet njoftojnë se ende nuk dihet shkaku i zjarrit.

 

Nga disa dritare të ndërtesës vareshin edhe vargje çarçafësh dhe materiale të tjera. Nuk ishte e qartë nëse njerëzit i kishin përdorur ato për t’i shpëtuar zjarrit ose nëse po përpiqeshin të shpëtonin pasurinë e tyre