Kryetari i Partisë Demokrattike Lulzim Basha ftoi demokratët e Foltores që të bashkohen në PD që siç tha është shtëpia e tyre.

 

Në fjalimin e mbajtur më kuvendin kombëtar të PD Basha theksoi se qëllimi është që të krijohet një federatë e gjerë, jo thjesht me parti të tjera të djathta dhe aleate të cilat janë të mirëpritura në projektin tonë të përbashkët.

 

“Unë sot i bëj një thirrje miqve tanë të Foltores, anëtarëve të thjeshtë deri te strukturat e asaj lëvizje. Të gjithë kanë një vend në partinë e madhe demokratike, të gjithë mund të bashkohen pa asnjë kufizim, në çdo çast, në çdo moment janë të mirëpritur për të ndërtuar një aleancë të madhe jo thjesht mes demokratëve por edhe me shoqërinë shqiptare. Partia Demokratike ka qenë dhe do të mbetet partia e parë e së djathtës, nga historia, nga potenciali dhe nga shpresa që rrezaton. Ne do të ndërtojmë një federatë të gjerë, jo thjesht me parti të tjera të djathta dhe aleate të cilat janë të mirëpritura në projektin tonë të përbashkët. Ne do ta zgjerojmë këtë aleancë përtej këtyre partive. Ne do ta zgjerojmë përmes Aleancës Qytetare për Demokracinë që do të sigurojë nesër shumicën e nevojshme për qeverisjen e vendit”, tha Basha.