Tirana e transformuar në 103-vjetorin e shpalljes kryeqyteti i Shqipërisë, ishte tema e radhës e rubrikës javore të komunikimit me qytetarët të kryebashkiakut Erion Veliaj.

 

Në videomesazhin e tij, Veliaj uroi të gjthë kryeqytetasit për këtë përvjetor, teksa tha se, sot Tirana po kalon ditët e saj më të mira.

 

“Sa herë vjen 11 shkurti dhe ne festojmë përvjetorin e Tiranës Kryeqytet ndihem jashtëzakonisht krenar, jo vetëm se jam pjesë e këtij kryeqyteti, kam lindur, jam rritur këtu, por se prej gati 8 vitesh, së bashku me një skuadër fantastike, i përkushtohemi çdo ditë, me shumë pasion, zhvillimit dhe transformimit të Tiranës sonë, e cila çdo ditë ka sfida, por çdo ditë sjell mundësi të jashtëzakonshme! Kush nuk do të ndihej kështu, në një kryeqytet si ky i yni, që kemi sot, i cili po kalon ditët më të mira, që nga koha e ekzistencës së tij”, tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku permendi disa prej arritjeve vetëm gjatë vitit të fundit i cili, sipas tij, ishte një vit historik.

 

“Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe përveç 1000 aktiviteteve rinore, shenjoi plot suksese të tjera, si organizimi i përkryer i finales së Konferencë Ligës me Romën dhe Fejnordin në Tiranë dhe tifozët respektivë, Festivalin Sunny Hill, apo edhe koncerte si ai i Ermal Metës, Dua Lipës dhe Rita Orës e qindra aktivitete të tjera. E mbyllëm vitin me vlerësimin më dinjitoz që kemi marrë ndonjëherë nga ana politike e diplomatike, ku mes shumë qyteteve europiane dhe ballkanike, Tirana u zgjodh mikpritësja e Samitit të BE, i pari Samit që organizohej ndonjëherë në një qytet jashtë Bashkimit Europian, edhe ky qytet ishte Tirana jonë,” u shpreh ai.

 

Kreu i Bashkisë theksoi se, edhe këtë vit, entuziazmi dhe energjia pozitive vazhdojnë për Tiranën.

 

“Jemi kurorëzuar “Qyteti Europian i Sportit”, ku na presin të tjera suksese historike, jo vetëm për sportin elitar, por edhe për sportin komunitar, për përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve në të gjitha aktivitetet sportive për një jetë të shëndetshme”, theksoi ai.

 

Veliaj tha se, për të ardhur deri këtu është punuar shumë për të çrrënjosur ditët e zymta të Tiranës kaotike të viteve ‘90.

 

“Gjatë këtyre 30 viteve të fundit, sidomos pas rënies së komunizmit, fatkeqësisht, Tirana ka pasur ditët e saj të errëta, kur punët nuk i kanë shkuar edhe aq mirë ose i ka ngecur sahati në vend. Këtu kam parasysh ditët e kioskëzimit, ndërtimeve pa leje, zaptimit, rrëmujës, trafikut dhe zhulit. Një Tiranë që askush nuk ndihet krenar kur e kujtojnë dhe po punojmë çdo ditë që t’i harrojmë ato ditë të errëta të Tiranës së tranzicionit,” tha ai.

 

Veliaj nënvizoi se vetëm pas viteve 2000 u rikthye identiteti dhe shkëlqimi i Tiranës, falë vizionit të Edi Ramës, por kujtoi 4 vitet e parardhësit të tj që e ndaluan zhvillimin. “E teksa patëm edhe një kohë të përgjumjes në mes, hapat dhe ritmin e tij nuk e kemi ndalur, sapo rikuperuam bashkinë dhe administratën tonë të re në vitin 2015. Kështu që, kemi mundur të vazhdojmë fillin e këputur të vizionit të Edit dhe të fitojmë kohën e humbur në ato 4 vite,” u shpreh ai.

 

Të gjitha këto, sipas Veliajt, u bënë të mundura falë një trinomi bashkëpunimi mes bashkisë, qeverisë dhe qytetarëve.

 

“Ky bashkëpunim është kthyer sot në një formulë suksesi për Tiranën, që kurrë më parë nuk ka qenë më mirë, një sukses që vjen si rezultat i një angazhimi të përbashkët, të përditshëm dhe kaq domethënës mes bashkisë, qytetarëve dhe qeverisë së Republikës së Shqipërisë”, u shpreh ai.

 

Për këtë, tha kreu i bashkisë faktet janë kokëforta dhe janë bazuar në punë dhe vepra konkrete që të gjithë mund t’i prekin dhe t’i shohin përditë.