Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Partia Socialiste është shpëtimtarja e Shqipërisë dhe SPAK që është pjesë e instrumenteve të shpëtimit të vendit.

I ftuar në një studio televizive, Rama u shpreh se SPAK është vepër e vizionit, fuqisë dhe vullnetit të PS-së për t’i dhënë jetë.

“Përgjegjësia ime është ajo e udhëheqjes së këti vendi për të dalë njëherë e mirë pa kthim nga një histori e dhimbshme. Përgjegjësia ime është që ajo që kemi nisur duke i dhënë jetë SPAK të mos ndalet. Kam përgjegjësinë që njerëzit që më kanë votuar mua të shikojnë se këtu nuk ka të paprekshëm. Kush ndan me mua qëllimet e përbashkëta është i nderuar. Kush do të bëjë një rrugë e dy punë, edhe qëllimet e të kapi ndonjë gjë për vete të shkojë atje te vendi”, tha Rama.

Sipas tij, “për herë të parë në shtetin shqiptar u desh PS që në Shqipëri të ketë figura të larta politike të lidhura me pushtetin politik ose jo, të shkojnë para drejtësisë”.

“Për këtë punë e kemi lindur e mbështetur SPAK. Ne do të mbështesim vendosmërisht SPAK me çdo lloj çmimi. SPAK ka punën e vetë”, tha Rama./ata