Kostot e prodhimit në tremujorin e parë të vitit 2024 u rritën me 2.8 %.

Sipas raportit të INSTAT-it, një vit më parë ky ndryshim ishte 9.4%.

Krahasuar me 3-mujorin e parë të 2023-shit, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “energjia elektrike, gaz, avull dhe me ajër të kondicionuar”, me respektivisht 7.2 %, pasuar nga seksionet “industri nxjerrëse” me 3,9%, “furnizimi me ujë, aktivitete të trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, mbetjeve” me 1.8% dhe “industri përpunuese” me 1.2%.

Brenda seksionit “industri përpunuese” rritja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “prodhimi i produkteve të duhanit” me 4.5%, pasuar nga aktivitetet “përpunimi i produkteve ushqimore” me 4.1%, “prodhimi i pijeve” me 3.8%, “metalurgjia” me 3.1%.

Nga ana tjetër, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në aktivitetin “prodhimi i produkteve mineralë jo metalikë” me 2.5%, pasuar nga “prodhimi i pajisjeve elektrike” me 2.2%, “prodhimi i produkteve optikë, elektronikë, kompjuterikë” me 2% “përpunimi i tekstileve” me 1.6%, “prodhimi i kimikateve dhe produkteve kimike” me 1.1%, etj.

Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për tregun vendas krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023 shënoi rritje me 3.5%. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në seksionin “energjia elektrike, gaz, avull dhe ajër i kondicionuar” me 10.5%, pasuar nga seksionet “industri nxjerrëse” me 3.8%.

Ndërsa Indeksi i Çmimeve të Prodhimit të produkteve për eksport krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023 shënoi rritje prej 0.5%. Rritja më e madhe e çmimeve është shënuar në seksionin “industri nxjerrëse” me 4%./ata