Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka argumentuar se përse deputetët e Partisë së Lirisë munguan në takimin e thirrur një ditë më parë nga Gazment Bardhit, ku të pranishëm ishin dhe deputetët mbështetës të grupimit të Sali Berishës.

 

“Deputetët e Partisë së Lirisë kanë qenë në vijën e parë të ballafaqimit me regjimin, në parlament dhe kudo dhe është e rëndësishme që deputetët e opozitës t’i përgjigjen sakrificës të atyre që i kanë votuar në 2021 dhe të ndalojnë çdo lloj regjimi, që e ka parë si qëllim përçarjen e opozitës”, bëri me dije Meta.

 

I pyetur se kush është kryetar i grupit Parlamentar, Lulzim Basha apo Gazment Bardhi, Meta ndonse nuk e shprehu drejtpërdrejt la të kuptohej se mbështet këtë të fundit.

 

“Në demokraci, ju e dini që është vota, që është shumica që tregojnë legjitimitetin kudo ku është një diskutim, për mua është e rëndësishme unifikimi i opozitës dhe dhënia fund njëherë e përgjithmonë regjimit”, deklaroi Meta.

 

Meta zgjodhi të komentonte edhe ndryshimet në qeveri, sipas së cilit nuk sjellin asgjë të re.

 

”Hiq Lenën, vër Prenën, gjithnjë më e rëndë do shkojë një qeverisje, që bazohet vetëm në arrogancë, në përjashtim”, tha Meta.