Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani priti sot në takim përfaqësuesit e përhershëm të vendeve të Quint-it në OSBE: Stefano Baldi, Itali, Neil Holland, Mbretëri e Bashkuar, Susanne Schütz, Gjermani, Fatène Benhabylès-Foeth, Francë dhe Katherine Brucker, zëvendësshefe e Misionit të SHBA.
Hasani u shpreh se në takim theksoi kontributin e çmuar të OSBE-së në nxitjen e stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon drejt rrugës së integrimit në BE.
“Kënaqësi të mirëprisja sot në Tiranë, Ambasadorët e vendeve të Quint-it: SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermani, Itali dhe Francë. Theksova kontributin e çmuar të OSBE-së në nxitjen e stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon drejt rrugës së integrimit në BE”, shkroi Hasani në një postim në rrjetet sociale.
Kryediplomati shqiptar u shpreh se, “angazhimi i vazhdueshëm i OSBE-së në adresimin e dinamikës komplekse të sigurisë që mbizotëron në Evropë, me një fokus të veçantë në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet parësor”./ata