Ministrja për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon kërkon në një shkrim të saj që vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin me shpejtësi të plotë drejt vitit 2030.

 

Në shkrimin e saj Fajon shprehet se, “javën e kaluar, në Slloveni, u organizua Forumi Strategjik i Bled-it (BSF), një konferencë e njohur për diskutimet e saj tradicionale rreth Ballkanit Perëndimor. Edhe pse këtë vit diskutimet dukshëm tejkaluan vëmendjen rajonale dhe patën një shtrirje globale, interesi më i madh u drejtua tek e ardhmja e Ballkanit Perëndimor brenda BE-së. Ideja e paraqitur nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, se BE dhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë gati për zgjerimin deri në vitin 2030, bëri jehonë të madhe. I ashtuquajturi ‘premtimi i Bled-it’ nuk la askënd me zemër të ftohtë, por ngriti një pikëpyetje për të gjithë nëse të dyja palët mund të jenë vërtet gati për zgjerimin deri në atë datë”.

 

“Përgjigja ime për të gjitha këto pyetje është e qartë: mundësia është këtu dhe ne duhet ta shfrytëzojmë atë me shpejtësi të plotë. Ne duhet të punojmë drejt gjetjes së një vullneti të mjaftueshëm politik në Ballkanin Perëndimor për reforma dhe vullnetit politik në BE për t’u zgjeruar. Duhet të fokusohemi në destinacionin përfundimtar, por nuk duhet të anashkalojmë udhëtimin”, thekson Fajon.

 

“Kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian, zgjerimi i BE-së padyshim është rikthyer në agjendë. Peizazhi gjeopolitik e bën të qartë se zgjerimi i BE-së nuk ka alternativë. Lufta në Ukrainë ka rritur oreksin për zgjerim, si dhe ka afirmuar nocionin se zgjerimi është një domosdoshmëri strategjike për BE-në. Me fjalë të thjeshta – është tani ose kurrë.

 

Kjo, sigurisht, që nuk do të thotë se kriteret e zgjerimit të BE-së do të hiqen dhe se Ballkani Perëndimor mund të hyjë në Bashkim pa i përmbushur ato. Kjo do të thotë se rajonit do t’i kushtohet më shumë vëmendje politike dhe se vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’u kërkohet që ta bëjnë këtë në mënyrë të përshtatshme”, shton ajo.

 

“Për BE-në kjo do të thotë një vetëangazhim për të reformuar procesin e saj të vendimmarrjes dhe për t’u përgatitur, në aspektin institucional dhe financiar. BE-ja me më shumë se 30 shtete anëtare në tryezë thjesht nuk mund të jetë efikase siç duhet. Një reformë e tillë nuk do të jetë një detyrë e lehtë, por është e domosdoshme. Dhe është e një rëndësie strategjike për BE-në, në të njëjtin nivel rëndësie si zgjerimi.

 

Skeptikët do të argumentonin se të gjitha këto detyra duken të jenë shumë të vështira deri në vitin 2030. Por, nga pikëpamja realiste, nuk do të ketë ndonjë ofertë më të mirë në tryezë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe një mundësi më të mirë për Bashkimin për t’u përmirësuar dhe përshtatur ndaj realiteteve të reja globale” nënvizon Fajon.

 

“Në Bled, unë zbulova një formulë për BE-në e ardhshme në 2030, të quajtur në anglisht “3E by 3E”, që përfshin këto synime. BE-ja e vitit 2030 duhet të jetë më e angazhuar (engaged) me botën, të zgjerohet (enlarged) me Ballkanin Perëndimor dhe partnerët tanë në Lindje, si dhe duhet të ketë zhvilluar (evolved) procesin e vendimmarrjes për t’u bërë më efikas. BE-ja duhet t’u qaset këtyre proceseve me këmbëngulje (eagerness), përshtatshmëri (expedience) dhe të bazuar në përvojë (experience). Besoj se nuk ka asgjë për të shtuar.

 

Vitet që do të vijnë nuk do të kenë të bëjnë as me perceptime dhe as mashtrime. Ato do të kenë të bëjnë me punën e vështirë nga të dyja palët: Ballkani Perëndimor dhe BE-ja, në mënyrë që të përgatisin të dyja palët për zgjerimin e BE-së deri në vitin 2030″, thekson Fajon.

 

“Këto kohë të vështira do të kërkojnë liderë të guximshëm nga të dyja palët. Udhëheqës që do të shikojnë drejt të ardhmes. Liderë të cilët do të ishin të gatshëm ta vendosnin zgjerimin në krye të agjendës së tyre dhe të merrnin vendimet e nevojshme për të mundësuar zgjerimin. Prandaj, zgjedhjet evropiane do të jenë një moment historik i rëndësishëm për objektivin e vitit 2030”, shprehet Ministrja për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane të Sllovenisë.

 

“Pavarësisht zgjedhjeve, Ballkani Perëndimor gjithmonë mund të llogarisë në mbështetjen e Sllovenisë. Ne do të mbetemi një mbështetës i vendosur i procesit të zgjerimit të BE-së me shpejtësi të plotë. Një mik i rajonit në të mirë dhe të keq. Për shembull, Sllovenia tashmë mbron hapjen e negociatave të pranimit në BE të Bosnje-Hercegovinës deri në fund të këtij viti”, nënvizon ajo.

 

“Koha do ta tregojë nëse Presidenti Michel mbajti një fjalim historik në Bled. Shpresoj se zotimi i Bled-it do të materializohet edhe për shkak të Bledit tonë magjik. Vendi ku peizazhet e bukura malore alpine takohen me ujin e liqenit të pastër kristal, është vendi më i mirë ku mund të ndodhin mrekullitë”, mbyll shkrimin e saj Ministrja për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon.