Në deklaratën e Samitit të Liderëve të G20 që u mbajt në Indi thuhet se palët duhet të shmangen lidhur me kërcënimin e përdorimit të forcës ose me përdorimin e forcës dhe se "përdorimi i armëve bërthamore ose kërcënimi për përdorimin e tyre janë të papranueshme".
Në Samitin e 18-të të Liderëve të G20 që mbahet me temën "Një Tokë, një Familje, një të Ardhme" nën mikpritjen e Indisë, u publikua deklarata e Liderëve nga samiti në New Delhi.
Në deklaratë theksohet se janë përsëritur qëndrimet kombëtare të palëve në lidhje me luftën në Ukrainë dhe vendimet e marra nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe se të gjitha shtetet duhet të veprojnë në përputhje me qëllimin dhe parimet e Kartës së OKB-së.
"Sipas Kartës së OKB-së, të gjitha shtetet duhet të shmangen nga kërcënimi për përdorimin e forcës ose përdorimin e forcës për të përvetësuar territor kundër integritetit territorial, sovranitetit ose pavarësisë politike të ndonjë shteti. Përdorimi ose kërcënimi i përdorimit të armëve bërthamore është i papranueshëm", thuhet në deklaratë.
Në anën tjetër në deklaratë theksohet se dhimbjet dhe efektet negative shtesë që lufta në Ukrainë krijon në aspektin e sigurisë globale të ushqimit dhe energjisë, për zinxhirët e furnizimit, stabilitetin makro-financiar, inflacionin dhe rritjen, kanë bërë edhe më komplekse mjedisin politik të vendeve kryesisht të atyre në zhvillim dhe të atyre pak të zhvilluara.
Po ashtu nënvizohet se kryesisht vendet në zhvillim dhe të ato pak të zhvilluara, po përpiqen ende të shpëtojnë nga ndikimi i pandemisë së COVID-19 dhe problemet ekonomike që pengojnë përparimin drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së dhe se lidhur me këtë situatë, ka mendime dhe vlerësime të ndryshme.
- Vlerësojmë Türkiye-n dhe OKB-në për "Iniciativën e Drithit në Detin e Zi"
Duke tërhequr vëmendjen për rolin e Türkiye-s dhe OKB-së në çështjen e dërgimit në tregjet botërore të produkteve të drithit për shkak të luftës që vazhdon ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, në deklaratë bëhet vlerësimi se "Vlerësojmë përpjekjet ndërmjetësuese të Türkiye-s dhe OKB-së ndaj Marrëveshjes së Istanbulit për qasjen e produkteve ushqimore dhe të plehut rus në tregjet botërore nën ndërmjetësimin e Türkiye-s dhe OKB-së".
Në deklaratë vihet në dukje dërgimi në kohë dhe efektiv i drithërave, produkteve ushqimore dhe plehut në tregjet botërore. Më tej thuhet se "Për të siguruar dërgimin e menjëhershëm dhe pa pengesë të drithit, produkteve ushqimore dhe plehut nga Rusia dhe Ukraina, ne bëjmë thirrje që këto të zbatohen në mënyrë të plotë, në kohë dhe në mënyrë efektive".
Gjithashtu në deklaratë potencohet se "Kjo është e nevojshme për të përmbushur kërkesat kryesisht të vendeve në zhvillim dhe pak të zhvilluara në Afrikë"./AA