Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) të Türkiye-s, përfundoi përgatitjet për ekipin e parë që do dërgohet në Marok në rast se bëhet thirrje për ndihmë pas tërmetit 7 ballë që goditi vendin.

 

Personeli i njësisë në Ankara u mblodh në Drejtorinë e Situatave të Fatkeqësive dhe Emergjencave të qytetit Ankara për tërmetin në Marok.

 

Ndaj personelit që do shkojë në rajonin e tërmetit në rast se vjen thirrje për ndihmë ndërkombëtare, u dhanë informacione lidhur me punimet që do kryhen në strukturat e ndërtesave, për situatën shëndetësore të vendit dhe vendet që kanë pësuar dëme.

 

Drejtori i Njësisë së Kërkim-Shpëtimit të AFAD në Ankara, Hüsamettin Kars tha se kanë filluar punimet pasi u informuan rreth tërmetit që ndodhi në mbrëmë në Marok. Ai theksoi se janë një ekip me akreditim ndërkombëtar dhe se kanë përgatitje në nivel të mjaftueshëm për veten për një periudhë 10 ditore në rajon.

 

"Kemi përgatitur materialet e kërkim-shpëtimit, ushqimet tona të mjaftueshme për 10 ditë, tendat e strehimit dhe çdo gjë tjetër të nevojshme të ekipit. Po presim udhëzimin e nisjes nga kryesia jonë. Ne jemi të gatshëm për nisje. Si njësi e Drejtorisë së Ankarasë bashkë me drejtorin jemi 20 persona. Ndërsa numri i personelit që mbahet i gatshëm në pritje bashkë me ekipet e tjera të AFAD-it, Ekipit Kombëtar Mjekësor të Shpëtimit (UMKE) dhe të organizatave të tjera të shoqërisë civile është 265", tha Kars.

 

"Sipas udhëzimeve për kërkim-shpëtimin atje thuhet se ka shumë ndërtesa të shembura. Ekipin tonë e kemi informuar lidhur me Marokun, lidhur me situata të tilla si gjendjen e klimës, kushtet e motit, praktikat e sigurisë dhe sëmundjet epidemike", deklaroi Kars duke bërë të ditur se kanë përfunduar përgatitjet.

 

Në rast të lëshimit të thirrjes për ndihmë ndërkombëtare, në fazën e parë në rajon do të dërgohet ekip me 265 persona personel si dhe 1.000 tenda nga AFAD, UMKE, Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile.

 

Kujtojmë se në tërmetin me magnitudë 7 ballë që ndodhi në zonën Al Haouz të Marakeshit në Marok, numri i viktimave është rritur në 1.037 ndërsa i të plagosurve në 1.024 ku 721 prej tyre në gjendje të rëndë./AA