Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Tiranë dhe të Forcat e Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Policinë e Durrësit dhe Vlorës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Delivery”, ku si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit M. L., 36 vjeç, banues në Tiranë dhe F. Gj., 27 vjeç, banues në Durrës.

 

 

Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. S., 41 vjeç, banues në Tiranë, dhe u shpall në kërkim shtetasi S. B., 43 vjeç, banues në Vlorë.

 

 

Në Kashar, gjatë kontrollit të magazinave të postës private me administrator shtetasin M. L., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 1400 pako me mallra të ndryshme, kryesisht veshje, pa fatura tatimore shoqëruese apo deklarata doganore për origjinën e mallrave.

 

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi M. L. furnizonte nëpërmjet postës së tij, me mallra, shtetasin F. Gj., administrator i një subjekti në Durrës, dhe shtetasin S. B., administrator i një subjekti në Vlorë. Gjatë kontrollit në këto dy subjekte, u gjetën gjithashtu pako me mallra të kontrabanduara, që shiteshin me pakicë.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.