Vijojnë tensionet në kampin e muxhahedinëve në Manzë. Pasi kanë përfunduar kontrollet e  policisë, mbi 1 mijë banorë shtetas iranianë të kampit Ashraf 3 kanë dalë në rrugë, në shenjë proteste. Ndërkohë në terren shihen forca të shumta policie ndërsa mediat kanë hyrë në ambientet e brendshme të kampit.

 

Në rrugë ka dhe qindra gra që flasin në gjuhën e tyre kundër operacionit.

 

“Nuk ndihemi më të sigurt këtu. Policia na sulmuan ne. Na kanë shkelur të drejtat tona të njeriut. Policia na vrau vëllain tonë. Ata erdhën në mëngjes ishin në krevate. Pse na trajtojnë si terroristë ne”, tha një grua muxhahedine.

 

Ekzekutimi i urdhërit të Gjykatës së Posaçme për kontroll çoi në përplasje të ashpra mes policisë dhe anëtarëve të opozitës iraniane.

 

Anëtarët e kampit kanë bërë rezistencë kur mësuan se policia do të zhvillonte kontrolle në këtë qendër, në kuadër të një aksioni kundër sulmeve kibernetike.

 

Në vend është parë dhe një ambulancë. Ndërkohë nga ana e policisë shqiptare nuk ka informacion zyrtar.