Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur prishjen e një objekti dykatësh, i cili është pengesë në realizimin e projektit për ndërtimin e segmentit rrugor “Rehabilitim i Mbikalimit të Fllakës”, pjesë e autostradës Tiranë-Durrës.

 

Sipas njoftimit të IKMT-së, poseduesi i këtij objekti është trajtuar me shpronësim për shkak të interesit publik.

 

Ndërkohë ARRSH-ja ka filluar puna te mbikalimi i Fllakës, pjesë e autostradës Tiranë-Durrës, për ndërtimin e një kryqëzimi në disnivel, në mënyrë që të krijohet akses në autostradë duke i ardhur në ndihmë bizneseve dhe banorëve nga të dyja anët e autostradës.

 

Projekti parashikon ndërtimin e katër rampave që lidhin mbikalimin e Fllakës me zonën “Maliq Muço” dhe zonën e “Fllakës”.

 

Rampat do të krijojnë mundësinë e aksesit për dalje dhe hyrje në autostradë për të dyja zonat, duke rritur sigurinë rrugore dhe duke shmangur aksidentet e mundshme.

 

Mbikalimi i Fllakës në autostradën Tiranë-Durrës është një nga pikat e zeza të evidentuara nga ARRSH.