Në konferencën e përjavshme për mediat, ish-kryeministri, Sali Berisha u ndal edhe te operacioni i fundit i ndërrmarë nga policia, ku u arrestuan 233 persona shpërndarës droge, shumica e të cilëve pranë shkollave.

 

Berisha tha se dënon lirimin e shoferit të shefit të komisariatit të Librazhdit, i cili i arrestua si trafikant droge bashkë me kushëririn e tij.

 

Më tej, ish-kryeministri hodhi akuza se policia në komunikatën zyrtare nuk njoftoi se një nga të arrestuarit është shofer i një shefi komisariati, ndërsa tha se ai drogën e shiste për llogari të shefit të vet.

 

Po ashtu Berisha theksoi se nga ky operacion baronët e drogës nuk janë cënuar aspak.

 

“Dy fjalë për të ashtuquajturin operacion të fundit.

 

Së pari, dënoj lirimin nga Taulant Balla të shoferit të shefit të komisariatit të Librazhdit, i cili i arrestua si trafikant droge bashkë me kushëririn e tij.

 

Policia në komunikatën e vet nuk njoftoi se është shofer i shefit të komisariatit Skuraj, se drogën ai e bënte për llogari të shefit të komisariatit.

 

Kushëriri i tij ishte po ashtu punëtor që punonte për Skurajn.

 

Lirimi i tyre tregon se çfarë bllof-operaiconi është ky.

 

Nuk po ndalem te fakti tjetër se asnjë nga baronët e drogës nuk janë cenuar aspak.

 

Nuk po ndalem aspak te fakti se ata 200 mund të jenë 15. Nuk janë të zotë të shpallin listën e emrave të arrestuar, siç e kanë detyrim. Nuk e shpallin dot se është listë e formuluar në zyrën e Taulant Ballës për të mashtruar popullatën dhe komunitetin ndërkombëtar.

 

Por opozita është këtu për të bërë transparencën dhe për të denoncuar ata”-tha Berisha.