Pesë persona kanë humbur jetën në mbrëmjen e së shtunës në Kosovë, si pasojë e aksidenteve të trafikut.

 

Bëhet fjalë për tre aksidente që kanë ndodhur në Podujevë, Pejë e Prishtinë.

 

Në rastin e parë, aksidenti ka ndodhur në rrugën Llapnasellë-Graçanicë.

 

Në aksidentin e ndodhur rreth orës 16:30 policia njofton se janë përfshirë dy vetura. Si pasojë e aksidentit u lënduan dy persona, ndërsa njëri prej tyre nuk ka arritur t’u bëjë ballë lëndimeve. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK, ka njoftuar Policia.

 

Aksidenti i dytë ka ndodhur, rreth orës 20:30 në rrugën që lidh fshatrat Sfeqël dhe Shajkovc të Podujevës kanë humbur jetën dy persona. Lëndime ka marrë edhe një person tjetër.

 

Aksidenti i tretë ka ndodhur në fshatin Ozdrim të Pejës. Sipas njoftimit të Policisë, një makinë ka goditur për vdekje dy këmbësorë, ndërsa një tjetër po trajtohet në Spitalin e Pejës. Ky aksident ka ndodhur rreth orës 21:30. Policia po ashtu ka bërë të ditur se shoferi i makinës që shkaktoi aksidentin, tashmë është ndaluar dhe gjendet në Stacionin e Policisë në Pejë.

 

Njësiti i trafikut i policisë po merret me rastet, ka thënë Policia.