Të tjera detaje janë zbardhur lidhur me megaoperacionin e realizuar mbrëmë në disa qytetet të vendit.

 

Lidhur me këtë megaoperacion u lëshuan 15 urdhra-arreste për shkatërrimin e grupit të Laert Haxhiut.

 

Mësohet se është zbardhur vrasja e Alban Semakut, i cili njihej me emrin Elton Mermali. Ky i fundit ka qenë anëtar i bandës së Aldo Bares, ndërsa u mor peng në Lushnjë dhe më pas u ekzekutua në Peqin.

 

Sakaq, nga hetimet është arritur që të zbardhet dhe vrasja e Albi Bashaliut në Elbasan, apo eliminimi i Fridmand Xhaferrajt në Korçë. Xhaferraj u gjet i lidhur dhe i hedhur në një rezervuar në këtë qytet.

 

Po ashtu janë zbardhur dhe vrasjet e Lulzim Qorrit dhe Dikens Halilit, ngjarje të ndodhura në shtetin grek.

 

Grupi në fjalë u godit pas rrëfimit të të penduarit Artan Tafani, i cili ndodhet pas hekurave për grabitjen e një pike të këmbimit valutor në Astir.

 

Kujtojmë se Laert Haxhiu, i dyshuar si kreu i grupit, ndodhet në Greqi i arrestuar, ndërsa po përballet në gjykatë për ekstradimin. Ndërkohë, Bledar Berberi, i akuzuar për vrasje, është arrestuar. Po ashtu pas hekurave është dhe Mariglen Topuzi, i dyshuar për vrasje, ndërsa Firdeus Berberi, pjesë e grupit akuzohet për kanosje të punonjësve të policisë, vjedhje automjeti që me pas është përdorur në vrasje.

 

Po ashtu bëhet e ditur se dy anëtarë të tjerë të grupit janë të arrestuar me herët për krime të tjera dhe ndodhen në burg. Mësohet gjithashtu grupi në fjalë akuzohet dhe për vrasjen e Çajup Selimit në 2021 në Tepelene.