Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat të mbajtur ditën e sotme ka kërkuar sërish që BE të dënojë shpalljen e zisë nga Serbia për ngjarjet e ndodhura në Veri të Kosovës.

 

Rama tha se Serbia duhet të kishte deklaruar hapjen e një hetimi serioz, ndërsa shtoi se ajo çka i kërkuan miqve në Bruksel, është dënimi pa ekuivok i vrasjes së një efektivi të policisë së Kosovës.

 

“E dëgjuam me shumë vëmendje të gjithë zëdhënësin e Brukselit, i cili tha se nuk mund të ketë një deklaratë tjetër pa rezultatet e hetimit mbi si ka rrjedhur ngjarja e Banjskës. Edhe mund të ishim dakord me këtë nëse minimalisht Serbia do të ishte distancuar nga grupi kriminal që i mori jetën efektivit të polic së Kosovës dhe do të kishte deklaruar hapjen e një hetimi serioz e të pavarur, por fatkeqësisht Republika e Serbisë zgjodhi nderimin për të vrarët nga forcat speciale të Kosovës duke shpallur një ditë zie kombëtare.

 

Atëherë çfarë hetimi pret BE-ja. Nga kush? Nga autoritetet e drejtësisë në Kosovë? Dhe me këtë do  ishim dakord por nuk e dëgjova zëdhënësin e BE-së ta thotë dhe nuk besoj se BE do t’i pranonte rezultatet e Kosovës pavarësisht se ata që e provokuan ishin serbë dhe pavarësisht se policia e Kosovës shkuan në vendngjarje për të ndaluar përshkallëzimin e terrorit nga grupi kriminal serbe. A mos po heton BE-ja në mënyrë të pavarur? Do ishte mirë, por nuk e dimë nëse BE-ja ka angazhuar një mekanizëm në këtë drejtim. Sikur ta dëgjonim këtë do lehtësoheshim disi, por vetëm në këtë drejtim. Gjithsesi çka ne kërkuam me miqtë në Bruksel, nuk është rezultat i një hetimi që është i mirëseardhur, por dënimi pa ekuivok i vrasjes së një efektivi të policisë nga një grup kriminal dhe gjithashtu nderimi i një akti absurd kombëtar në Serbi i disa kriminelëve, të armatosur deri në dhëmbë, të cilët u shfaqën në Banjskë për demonstrimin e një force të paligjshme me gjuhën e armëve të rënda dhe u asgjësuan nga rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Çdo interpretim i mundshëm nuk i ndryshon dot këto fakte”, tha Rama.