Drejtori i i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ka publikuar detajet e megaoperacionit të shtrirë në disa qytete të vendit, ku u zbardhën 6 vrasje, 5 shpërthime me eksploziv; 3 vjedhje me dhunë; 3 tentativë raste për kryerje vrasje; 1 rast kanosje polici.
Arrestimet erdhën pas bashkëpunimit të penduarit të drejtësisë Artan Tafani me autoritetet.
Rrumbullaku bëri të ditur se sipas hetimeve Laert Haxhiu rezulton të jetë organizatori dhe porositësi i dy vrasjeve të ndodhura në Greqi.
“Ai është organizatori dhe porositësi i vrasjes në Athinë të Lulzim Qorrit dhe Dikens Halili. Të dhënat do i çohen autoriteteve në Athinë”, tha Rrumbullaku.
I pyetur nga gazetarët se si do të ekstradohet ai në Shqipëri, Rrumbullaku u përgjigj se janë në bisedime me zyrën e Interpolit .
“Jemi në komunikim të vazhdueshëm me zyrën e Interpolit dhe kemi besim se do t’ia arrijmë pavarësisht problematikave ligjore që kemi përpara”, u përgjigj Rrumbullaku.