Kryetari i grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë qëllim ndarjen e Kosovës sipas oreksit serb.

 

Në fjalën e tij gjatë senacës plenare ku po diskutohet pr/rezoluta për Kosovën, Berisha u shpreh se, “sot jam këtu për të denoncuar përsëri atë që populli e Kosovës e quan vëllau i Vuçiçit, analistë të mirënjohur perëndimorë e quajnë Pashiqi shqipfolës, kurse PD e ka shpallur prej vitesh argat i Vuçiçit dhe i Beogradit”.

 

“E denoncoj sot sepse në një kohë kur u arrit një konsensus për t’i dhënë mbështetje të plotë rezolutës së Republikës së Kosovës, ai lexoi këtu një fjalim të shkruar fjalë për fjalë dhe rresht për rresht në Beograd”, tha Berisha.

 

“Sot, kreu juaj kishte ndërruar fjalimshkruesin. Fjalimi që lexoi këtu para jush është fjalim i shkruar në zyrat e Aleksandër Vuçiçit. Ky fjalim kishte qëllim kryesor, në prag të samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, të portretizonte si djall me zile, kryeministrin e Kosovës”, theksoi Berisha.

 

“Kishte qëllim të mbronte padronin e tij, serbomadhin Aleksandër Vuçiç. Kishte për qëllim të bllokonte çdo lloj përpjekje që mund të bëhej për ndonjë hap pozitiv në drejtim të klimës midis Serbisë dhe Kosovës, klimë konflikti pas agresionit të grupeve terroriste, të dërguara nga Serbia, të armatosura në Serbi. Dhe të strehuara tani në Serbi. A e shihni pra, se si u përdor sot, kjo platformë?”, nënvizoi Berisha.

 

Berisha shtoi se, “Rama dhe Vuçiç kanë vetëm një qëllim, ndarjen e Kosovës sipas oreksit serb. Sipas projektit të serbomadhisë”.

 

“Unë garantoj shqiptarët se Edi Rama vazhdon si argat i Vuçiçit, çdo ditë dhe çdo javë dhe muaj, përpjekjet për zbatimin e projektit të tyre të ndarjes së Kosovës. Ata kanë një qëllim dhe vetëm një qëllim, ndarjen e Kosovës sipas oreksit serb. Sipas projektit të serbomadhisë”, tha Berisha.

 

“Ju këtu, çfarë t’u them unë ju këtu, ju jeni zero pas një numri. Ne ramë dakord për një rezolutë, në të cilën mbështetet pikë  për pikë, nen për nen rezoluta e Kuvendit të Kosovës. Kurse kreu juaj, Pashiqi shqipfolës, vëllai i Vuçiçit, argati i Vuçiçit, këtu në një fjalim të stilit të Muamer Gadafit, një orë e gjysëm, bëri gjithçka për të vazhduar përçarjen midis Shqipërisë dhe Kosovës”, tha Berisha.

 

“Sulmoi egërsisht kryeministrin e Kosovës. Përsëri shpalli projektin e ndarjes së Kosovës, të vendosjes së veriut të Kosovës nën kontrollin e KFOR-it. Përsëri përsëriti tezat e Vuçiçit për tokën e askujt. Përsëri foli për dallime ideologjike. Po ku ke ideologji ti? Ideologjia jote është e një tradhtari, e një hajduti, e një banditi të lidhur me Belivukër dhe stër-belivukër. Dhe flet për ndarje të tilla ti këtu. Ideologjia jote është e tëra në kurriz të Kosovës dhe dëmtim të çështjes së saj”, u shpreh kreu i Rithemelimit të PD.

 

“Ka 10 vite që kur erdhi në pushtet, çfarë bëri? Një çështje të mbyllur në mënyrë përfundimtare, ndryshimin e kufijve, e hapi në takimin e parë me Vuçiçin. Nga ai takim gjer më sot janë bërë 13 takime, publike apo të fshehta, në të cilat ka pasur vetëm një çështje në axhendë: ndarja e Kosovës. Edhe në takimin e fundit në Nju Jork, u informua për skenarin e Radioçiçit, të cilën Policia e Kosovës ua plasi në dorë”, tha Berisha.

 

“A e kuptoni ju që e ndiqni atë, ai e ka fatin të lidhur për jetë dhe vdekje me Aleksandër Vuçiçin? Ai nuk mund të shqitet kurrë prej tij. Hiqeni nga mendja. Cili prej jush priste një fjalë si kjo? Asnjë nga ju nuk mund të priste një fjalë si kjo. Po ai është pazgjidhshmërisht i lidhur me padronin e tij. Në histori, ky është i vetmi në Europë, që jashtë çdo lloj turpi, shpall Vuçiçin si faktor paqeje”, vijoi Berisha.

 

“A e dëgjoni që nuk përmend ndonjëherë Serbinë, në një kohë kur rezoluta që do votojmë, fillon me agresionin e Serbisë në Kosovë, vazhdon me agresionin e Serbisë në Kosovë?

Guxon ky ta përmendë Serbinë? Jo mo kurrë. Ky është peng, ky është argat, ky ka firmosur diku për të ndarë Kosovën me oreksin e Serbisë”, tha ai.

 

“Pasi dështoi me ndryshimin e kufijve, kaloi te Ballkani i Hapur dhe doli kreu juaj bashkë me Vuçicin në krah dhe paraqiti hartën pa Kosovën. Pra, e vërteta është se 10 vite që jemi në pozicione të kundërta, ne do e votojmë rezolutën sepse rezoluta shpreh pikë për pikë ato që thotë rezoluta e Kosovës dhe dy-tre nene që nuk janë maksimumi, por përsëri përmbytin çdo gjë të politikës që ka ndjekur Edi Rama kundër Kosovës dhe qeverisë së saj.

Edhe njëherë dënoj me forcën më të madhe projektin Vuçiç-Rama të ndarjes së Kosovës.

I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndalojë këtë bashkëpunim që është faktor destabilizues për rajonin”, tha Berisha.