Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Hungari, vend i cili merr presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti.

Ministri Hasani u takua me homologun hungarez Péter Szijjártó, me të cilin do të diskutohet për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira midis Shqipërisë dhe Hungarisë, ku spikasin lidhjet historike midis dy popujve, që në periudhën e prijësve Skënderbeu dhe János Hunyadi.

Në një deklaratë për media me homologun Szijjártó, Hasani u shpreh se, “marrëdhëniet Shqipëri-Hungari, janë zgjeruar dukshëm gjatë viteve të fundit”.

“Bashkëpunimi politik mbetet në nivele të larta”, tha Hasani, teksa shtoi se, “kemi rritje të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve”.

Hasani theksoi se, “Hungaria është e pranishme në tregun shqiptar si kurrë më parë. Nxisim zhvillimin e sesionit të radhës së Komisionit të Përbashkët Ekonomik”.

Sa i përket thellimit të marrëdhënieve, Hasani u shpreh se, “nënshkruam sot dy marrëveshje të reja”.

Ministri Hasani bëri të ditur se, marrëveshjet e arritura janë në fushën e arsimit dhe diplomacisë.

“Hungaria është mbështetëse e palëkundur e integrimit tonë evropian. Hungaria është avokate aktive e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha Hasani, teksa shtoi se, “Integrimi i Ballkanit Perëndimor është një nga prioritetet e Presidencës hungareze të Këshillit të BE”.

“Jemi të vendosur në përkushtimin tonë për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe”, shtoi Hasani.

Ndërsa ministri hungarez, Szijjarto në fjalën e tij tha se, “jetojmë në kohë të rrezikshme, atmosfera në BE nuk është e mirë”.

“Do kërkojmë energji e momentum të ri, që vijnë vetëm nga Ballkani Perëndimor”, shtoi Szijjarto.

Ai u shpreh se, “prioritet i Presidencës hungareze të Këshillit të BE është zgjerimi i BE”.

“Do jetë një betejë e fortë sepse ka vende që s’e duan këtë zgjerim. Por ky s’do jetë rasti i Shqipërisë”, nënvizoi Szijjarto.

“20 vjet përpjekje dhe besojmë se Shqipëria është gati për negociatat”, theksoi ai.

Ministri Szijjarto shtoi se, “sa më shumë vonesa, aq më shumë në pikëpyetje integriteti i BE në rajon”./ata