Njeriu që do drejtojë ministrinë e çuditshme shqiptare, ngjizjen Ekonomi-Kulturë-Inovacion, Blendi Gonxhe, ka reaguar shkurt pasi iu besua ky post nga kryeministri Rama.

“Është një privilegj që vjen me përgjegjësi të jashtëzakonshme e përkushtimin për të punuar me pasion e përulësi për të shërbyer me ide e zgjidhje për më shumë qytetarë e sektorë në vend”, shkruan ndër të rrallët ish-dhjetoristë, së bashku me vetë kreun e qeverisë, që sot drejtojnë Shqipërinë me poste të larta ekzekutive.

Rama do thoste një ditë më parë për ish-studentin e tij se “Gonxhe është një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standardeve europiane”.

Kujtojmë se Gonxhe drejtoi për disa vite Transportin Rrugor, duke e reformuar atë thellësisht. /tesheshi.com/