Kryeministri Edi Rama ka dënuar bombardimin e spitalit në Gaza, ku mbetën të vdekur me qindra persona.

 

Në një reagim në platformën “X”, Rama shkruan se është tronditëse të shohësh pamjet e asaj që ka lënë pas ky sulm dhe shtoi se për këtë nuk ka asnjë justifikim, në asnjë rrethanë.

 

Kreu i qeverisë shqiptare thekson faktin se ligjet ndërkombëtare dhe zakonet e luftës nuk lejojnë që të preken nga sulme të tilla të sëmurët, të plagosurit dhe spitalet.

 

“Është thellësisht tronditëse të shohësh pamjet e goditjes me bombë të spitalit Al-Ahli në Gaza, ku qindra e qindra njerëz u masakruan e humbën jetën.

 

Sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk preken.

 

Nuk ka asnjë justifikim, në asnjë rrethanë, për goditjen e infrastrukturës spitalore, civilëve dhe ekipeve mjekësore.

 

Deklarata e kryeministrit Netaniahu se kjo masakër u krye nga vetë Hamasi është drithëruese, por nuk mjafton për ta ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese. Prandaj të gjitha  faktet e mundshme duhet të mblidhen dhe të provohet autorësia e kësaj goditjeje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit.

 

Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk mjafton as për t’i mbyllur sytë përballë pamjeve rrënqethëse të gërmadha të spitalit të bombarduar dhe as për t’u mjaftuar me deklaratën shumë tronditëse të kryeministrit të Izraelit.

 

Në këtë luftë Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike është e përcaktuar në anën e Izraelit të goditur barbarisht nga mizoria e terroristëve të Hamasit! Por bota demokratike duhet të jetë po ashtu garante e të vërtetës për qindra e qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza. Prandaj hetimi i fakteve për nxjerrjen e autorëve të kësaj vrasjeje masive dhe dënimi pa asnjë ekuivok i tyre është përgjegjësi e padiskutueshme e detyrim i pashmangshëm i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit”, shkruan Rama në platformën “X”.