Italia do të dërgojë një anije luftarake në Detin e Kuq mes sulmeve të rebelëve Houthi të Jemenit ndaj anijeve tregtare, transmeton Anadolu.

Siç njofton agjencia shtetërore e lajmeve ANSA, fragata detare italiane ‘Virgilio Fasan’, e cila pritet të dërgohet në muajin shkurt të vitit 2024 për të mbështetur operacionit ‘Atalanta’ të Bashkimit Evropian (BE) për të penguar aktet e piraterisë dhe grabitjes së armatosur në pjesën jugore të Detit të Kuq, si dhe në Gjirin e Adenit dhe Oqeanin Indian, parashikohet të kalojë përmes Kanalit të Suezit tani më 24 dhjetor.

Raporti tha se vendimi erdhi pasi ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, zhvilloi një video-konferencë me sekretarin e Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin.

Të hënën, Austin njoftoi krijimin e një task force detare shumëkombëshe për të trajtuar sulmet e rebelëve Houthi ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.

Austin e përshkroi operacionin ‘Prosperity Guardian’ (Mbrojtësi i Prosperitetit) si një "iniciativë të re shumëkombëshe e rëndësishme e sigurisë nën ombrellën e Forcave të Kombinuara Detare dhe udhëheqjes së Task Forcës 153 të saj, e cila fokusohet në sigurinë e detit të Kuq".

Deti i Kuq është një nga rrugët detare më të përdorura në botë për dërgesat e naftës dhe karburantit.

Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani kanë rritur ndjeshëm përfshirjen e tyre në konfliktin Izrael-Hamas në Rripin e Gazës, duke vënë në shënjestër anijet në jug të Detit të Kuq dhe duke paralajmëruar për sulme ndaj të gjitha anijeve të destinuara për Izraelin.