Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian (BE) shprehën shqetësim për procesin zgjedhor në Serbi pas rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura gjatë fundjavës së kaluar, transmeton Anadolu.
"Ne marrim parasysh gjetjet dhe konkluzionet paraprake të vëzhguesve ndërkombëtarë nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë të 17 dhjetorit. Në dritën e këtyre gjetjeve dhe konkluzioneve paraprake, ne konkludojmë me shqetësim se procesi zgjedhor kërkon përmirësime të prekshme dhe reforma të mëtejshme, pasi funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të pranimit të Serbisë në BE", thanë në një kumtesë të përbashkët shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell dhe Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Në kumtesë u bëhet thirrje politikanëve serbë që të sigurojnë dialog.
"I bëjmë thirrje lidershipit politik serb që të sigurojë një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në të gjithë spektrin politik", thuhet në deklaratë.
Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se në zgjedhjet e parakohshme të Serbisë u regjistruan parregullsi.
Misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR-së tha se "përfshirja vendimtare e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe avantazhet sistematike të partisë në pushtet minuan procesin zgjedhor në përgjithësi".
Në lidhje me zgjedhjet ka reaguar edhe Ministria e Jashtme gjermane.
"Serbia ka votuar, por OSBE-ODIHR raporton keqpërdorim të resurseve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave. Kjo është e papranueshme për një vend me statusin e kandidatit në BE", thuhet në mediat sociale.
Qindra banorë të Beogradit janë mbledhur para komisionit zgjedhor për të protestuar kundër rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme.
Protesta u organizua nga lista "Serbia kundër dhunës", një nga koalicionet që konkurruan në votime.
Miroslav Aleksiq dhe Marinika Tepiq nga koalicioni thanë se do të hyjnë në grevë urie derisa të anulohen rezultatet e zgjedhjeve lokale në Beograd.
Sipas rezultateve paraprake për Asamblenë e Qytetit të Beogradit, Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet fitoi 39,34 për qind të votave dhe 49 vende, ndërsa koalicioni "Serbia kundër dhunës" fitoi 34,27 për qind dhe 42 vende.