Vendimi i Gjykatës së Posaçme që rrëzoi kërkesën e Fredi Belerit për leje nga burgu për tu betuar si kryebashkiak i Himarës, është cilësuar nga kryeministri Edi Rama si një qëndrim korrekt ligjor. Në atë vendim, gjykata e posaçme ka interpretuar arësyen e mos-miratimit të lejes nga burgu për Fredi Belerin.
‘Masa e sigurimit personal "arrest në burg" për vetë faktin se konsiderohet si më ekstremja, kuptohet se edhe e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë edhe mandatin e fituar nga zgjedhjet, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e saj. Gjykata vlerëson se interesat kushtetuese për zhvillimin e një procesi të rregullt e të drejtë ligjor konsiderohen si prevaluese në raport me tagrin e marrjes së mandatit për ushtrimin e detyrës së kryetarit të bashkisë nga ana e ankuesit Dhionisios Alfred Beleri.’- thuhet në vendimin e GJKKO.
Pikërisht në linjë me këtë urdhërim të gjykatës, kryeministri Rama thotë se Fredi Beleri duhet të përballet me drejtësinë, i pa veshur me pushtet deri në një vendim të formës së prerë ndaj tij.
Kreu i qeverisë, evidenton nga ana tjetër nevojën për një zgjidhje në drejtimin e bashkisë së Himarës deri në përfundim të procesit ndaj Belerit, pasi thekson se kandudiati humbës Jorgo Goro qëndron ende në krye të institucionit për shkak të situatës së krijuar.
'Nga leximi i vendimit të arsyetuar të GJKKO mbi mosdhënien e lejes për betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, shoh të udhës të nënvizoj publikisht sa më poshtë:
1. Mosdhënia e lejes për betim në kushtet e paraburgimit nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rezulton përfundimisht një qëndrim korrekt ligjor, ashtu sikundër edhe refuzimi i gjykatës speciale ndaj kërkesës është qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.
2. Fakti që kryetari i zgjedhur i Himarës mbetet i tillë deri në fund të gjykimit dhe vetëm shpallja me vendim të formës së prerë do të përcaktojë mundësinë e tij për t’u betuar në rast pafajësie apo pamundësinë e tij për të mbetur kryebashkiak në rast fajësie, është po ashtu qartësisht i lexueshëm dhe lehtësisht i kuptueshëm.
3. Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç përmes ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës.'- shkruan Rama.
Ligji për qeverisjen vendore, nuk ka një parashikim konkret për rastin, megjithatë ai parashikon se këshilli bashkiak mund të zgjedhë ushtruesin e funksionit të kryetarit të Bashkisë nga nënkryetarët ose nga një prej anëtarëve të Këshillit në rast vakance 6 muajt e fundit para zgjedhjeve.
Çështja e betimit të Belerit si kryebashkiak i Himarës është bërë temë kryesore edhe në marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Shteti grek vijon të mos pranojë firmosjen e letrës që do të hapte negociatat e Shqipërisë më Bashkimin Evropian. Sipas Greqisë moslejimi i Belerit për t’u betuar si kryebashkiak, është vendim politik i qeverisë. Situata e tensionuar u shfaq edhe mes bisedës që Rama pati me kryeministrin grek Mitsotakis gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor në 13 dhjetor.
Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pasi u kap në flagrancë bashkë më bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokaveshi duke blerë vota. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin.