Zv/kryeministri Italian që mban dhe detyrën e ministrit të Jashtëm Antonio Tajani ka nisur sot vizitën zyrtare në Shqipëri duke u ndalur në Portin e Shëngjinit, ku edhe është parashikuar që të ngrihet qendra për pritejen e refugjatëve. Në takimin pa praninë e mediave, Tajani është njohur nga afër me projektin dhe më pas është larguar.

Në orët e paradites, Tajani u takua me ministrin e Jashtëm Igli Hasani dhe më pas me kryeministrin Edi Rama. Përmes një postimi në rrjete sociale Rama jep lajmin se janë gati për firmosjen e Marrëveshjes së shumëpritur të pensioneve të shqiptarëve në Itali marrëveshja e pensioneve. Marrëveshja për njohjen e viteve të punës i vjen në ndihmë 500 mijë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Itali. 

Ministri i Jashtëm Italian ka përjashtuar takimin me Sali Berishën, i cili është në prag të arrestimit. Dje 75 vota pro të mazhorancës Kuvendi autorizoi SPAK të arrestojë Berishën në hetim për aferën e privatizimit të kompleksit  ‘Partizani’.

I shpalluri ‘non grata’ i SHBA-së tradhtoi dhe besimin e aleatëve italianë e vetë Tajanit pasi çoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për emigrantët përkundër garancisë që i kishte dhënë në një bisedë telefonike me të më 16 nëntorit, 10 ditë pas firmosjes së saj. Burime të sigurta nga shteti fqinj për Report Tv dhe Shqiptarja.com bënë të ditur atëherë se Berisha i kishte premtuar që nuk do të protestonte dhe as ta çonte në Gjykatë Kushtetuese.  

Këtë premtim Berisha ia kishte dhënë edhe deputetit të forcës së djathtë italiane, 'Forca Italia’ Alesandro Batilokio i cili mori pjesë në kuvendin kombëtar të thirrur nga ish kryeministri më 2 dhjetor 2023 bënë të ditur atëherë burime për Report Tv por as ky nuk u mbajt. E djathta italiane kritikoi Sali Berishën për qëndrimet e shprehura ndaj marrëveshjes. 

Marrëveshja në Kushtetuese

Pavarësisht se Berisha nuk e mbajtir premtimin, Gjykata Kushtetuese në 13 dhjetor 2023 mori në shqyrtim kërkesën e bërë nga 30 deputetë të grupit Bardhi-Berisha kundër marrëveshjes duke sjellë automatikisht pezullimin e saj deri në një vendim përfundimtar të dhënë nga gjykata.

Seanca e parë, pritet të mbahet në 18 janar, 2024 ku palët do të paraqesin pretendimet e tyre dhe më pas brenda 3 muajve, Gjykata Kushtetuese duhet të marrë një vendim mbi marrëveshjen. Kryemistrja italiane, Giorgia Meloni u shpreh se e respektonte vendimin e gjykatës dhe se do të priste deri në një vendim përfundimtar. 

Drafti për marrëveshjen për emigrantët, u miratua në qeverinë italiane pak javë më parë dhe u dërgua në parlament për miratim. Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal pritës është 3 mijë shtretër.