Kryeministri, Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë disa ditore në Britaninë e Madhe.

 

Klan News raporton se kreu i qeverisë do të niset nesër drejt Londrës, ku do të zhvillojë një takim me homologun e tij britanik, Rishi Sunak. Sipas të njëjtave burime mes tyre do të bisedohet edhe për marrëveshjen e emigrantëve.

 

Kujtojmë që disa muaj më parë, Rama dhe Sunak nënshkruan një deklaratë të përbashkët, për çështjen e  emigrantëve të paligjshëm që mbërrijë me gomone në Britaninë e Madhe.

 

Ata u zotuan që të dyja vendet të rrisin bashkëpunimin mes tyre me synim dhënien fund të dyndjes së emigrantëve ilegalë shqiptarë drejt brigjeve të Britanisë së Madhe.

 

Po ashtu, u vendos që Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar të ngrenë një Task Forcë të Përbashkët në nivel të Ministrisë së Brendshme/Zyra e Brendshme me qëllim forcimin më tej të bashkëpunimit operacional për zbatimin e ligjit.

 

Marrëveshja mes dy kryeministrave parashikonte gjithashtu edhe bashkëpunimin për rritjen e investimeve britanike në vendin tonë kryesisht në fushën e energjisë, turizmit dhe infrastrukturës.

 

Administrata Sunak, u ka shpallur luftë prej disa kohësh emigrantëve nga vendi ynë.

 

Sipas të dhënave, 12 301 emigrantë shqiptarë, kryesisht meshkuj të moshave të reja, kanë hyrë ilegalisht në vend në 2022, numri më i lartë i rreth 45 mijë shtetasve që kanë kaluar gjithsej kanalin vitin e kaluar.