Ish-Ministri i Brendshëm i qeverisë Rama, Saimir Tahiri është paraqitur ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme. Mësohet se Tahiri ka shkuar në ambientet e SPAK së bashku me avokatin e tij Maks Haxhia.
Pak kohë më parë ka qenë gazetarja Anila Hoxha e cila ka informuar se SPAK ka nisur një dosje tjetër hetimore ndaj Tahirit. Duke shtuar se ishte vetëm çështje kohë që, ish-ministri i Brendshëm të thirrej në ambientet e Prokurorisë për t’u marrë në pyetje.
Aktualisht Tahiri ndodhet në arrest shtëpie, pasi ishte dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim detyre. Por Gjykata e Elbasanit vendosi që 20 muaj, Tahiri do i “vuajë” në banesën e tij, nga e cila lejohet të dalë vetëm për raste emergjente.
Sipas Gjykatës, vendimi për vuajtjen e dënimit në banesë, u mor pasi atij i kanë mbetur më pak se dy vite burgim, ndërsa bashkëshortja e tij ka probleme shëndetësore, të cilat nuk i mundësojnë kujdesin e plotë ndaj fëmijeve të mitur./Dita