Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përuroi Teatrin dhe Kinemanë e Hapur. Teatri dhe Kinemaja e Hapur zotëron një kapacitet prej 140 vendesh dhe synon t'i adresohet të rinjve, përmes një shërbimi që ndërthur edukimin me zbavitjen. Në oborrin e ridimensionuar të godinës së DPA me pjesëmarrjen e akademikëve dhe të dhjetëra studentëve, u ngrit sipari i hapësirës më të re kulturore që i shtohet kryeqytetit. Në ceremoninë inauguruese ishin të pranishëm drejtori i përgjithshëm i Arkivave Ardit Bido, drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit Marinela Ndria, përfaqësuesja e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës Shpresa Mekaj, zëvendësdekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë Andi Pinari, historianet Eva Tafili Hyskaj dhe Esmeralda Kolaneci. Fjala përshëndetëse u mbajt prej Bidos, i cili shprehu synimin për ta kthyer DPA-në një institucion tërheqës për të rinjtë. "E kemi deklaruar që vitin e kaluar. Ne duam që ta bëjmë këtë institucion, një hapësirë që do mund të tërheqë të gjithë kreativitetin, sidomos të të rinjve. Ata mund të vijnë jo vetëm për të studiuar, por edhe që të mund të shohin historinë arkivore kombëtare, të kenë të gjithë ambientet që të mund të shpërfaqin talentin e tyre. Më vjen mirë që këtë vit, këtë traditën tonë që të trokasim gotën e fundvitit, ta bëjmë në këtë ambient, kinema verore, së bashku me miq të institucionit", tha kreu i DPA-së. Në vijim, mori fjalën Ndria, e cila vlerësoi nismën e DPA-së dhe bashkëpunimin e vijueshëm ndërinstitucional. "Mes nesh ka një bashkëpunim të frytshëm. Kemi materiale sot, pamje shumë të bukura nga historia e Shqipërisë", u shpreh drejtoresha e AQSHF-së. Në përmbyllje të aktivitetit u shfaqën disa materiale filmike nga AQSHF-ja. Mes këtyre dokumentarëve të shkurtër, u transmetuan fragmente nga filmi i parë shqiptar, "Rrethimi i Shkodrës nga trupat malazeze" (1913), "Shqipëria 1914" (1914), "Pamje nga Shqipëria e viteve 1920-1928", "Pamje nga jeta e Durrësit" (1914) dhe "Ardhja e Princ Vidit" (1914).