Qeveria miratoi ngritjen e drejtorisë së posaçme të zhvillimit të akuakulturës, një sektor me rëndësi për të cilin po punojmë për ta zhvilluar dhe më tej, drejt objektivit 30 mijë ton eksporte të produkteve peshkore në 2030, nga 8 mijë ton që eksportojmë sot.

Kështu u shpreh sot ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj për mediet, pas  mbledhjes së qeverisë,  ku theksoi se, “ky është një vendim, i cili lidhet me organizimin e një drejtorie shumë të rëndësishme, pjesë e programit të punës të së cilës, është ndjekja dhe zhvillimi në sektorin e peshkimit”.

Denaj bëri të ditur se, gjithashtu është marrë edhe një vendim për zhvendosjen e infrastrukturës të cilën siç tha ajo, “do ta shikojmë dhe shoqërojmë edhe më mbështetje buxhetore”.

“Zhvillimi i sektorit të akuakulturës, është një ndër prioritetet e MBZHR për ta bërë objektivin e 30 mijë tonëve të eksporteve peshkore, të mundur përgjatë viteve në vijim”, u shpreh Denaj./ata