Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është paraqitur edhe ditën e sotme pranë ambienteve të SPAK në respektim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar nga Gjykata e Posaçme për koncesionin e Sterilizimit.
Pas daljes nga SPAK, Beqaj ka folur për mediat ku është shprehur se, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë interes ekonomik dhe financiar me asnjë sipërmarrje farmaceutike në Shqipëri apo me pronarët e tyre.
“Në kohën që kam qenë ministër, por edhe sot nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë interes ekonomik dhe financiar me asnjë sipërmarrje farmaceutike në Shqipëri apo me pronarët e tyre. Unë prej vitesh po përballem me këtë çështje dhe jam i hapur ndaj drejtësisë edhe në funksion të veprimeve të djeshme u bë një kontroll në banesën time. Nuk ishte nevoja të thirrja avokatët sepse ato që ka një familje normale u gjetën aty”, tha ai.
“Siç ju e dini unë çdo të premte paraqitem para hetuesve në një procedurë për çështjen e sterilizimit. Ende pres të kuptoj se kush është faji që kam bërë sepse deri tani nuk ka asnjë provë faji. Sterilizimi është një nga gjërat më të mira që kam bërë, por padyshim në sistemin e drejtësisë edhe unë jam i interesuar të pres vendimin e gjykatës. Sigurisht ato që kanë bërë kontrollin më treguan një vendim gjykate”, theksoi Beqaj.
Ish-ministri Beqaj ndodhet në masën e sigurisë detyrim për t’u paraqitur dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit pas hetimeve të SPAK për koncesionin e sterilizimit./ata