Presidenti i Argjentinës, Javier Milei deklaroi se janë larguar nga mekanizmi i grupit BRICS të përbërë nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut.

Sipas lajmeve në shtypin kombëtar, Milei në një letër dërguar vendeve anëtare të BRICS-it ka thënë: "Përfshirja e Republikës së Argjentinës në BRICS si anëtare me të drejta të plota që nga 1 janari 2024 nuk është parë i përshtatshëm nga qeveria".

"Dalja nga grupi BRICS nuk nënkupton se nuk do të bëhet tregti me këto vende", tha Milei i cili shtoi se marrëdhëniet do të vazhdojnë.

Argjentina e cila kishte kërkuar të bëhej anëtare zyrtare e BRICS-it, e filloi zyrtarisht procesin e anëtarësimit në periudhën e ish-presidentit Alberto Fernandez.

Duke vënë theksin se do të ndërmarrin ndryshime rrënjësore në politikën e jashtme, Milei tha se në Venezuelë, Kubë dhe Nikaragua mbizotërojnë regjimet diktatoriale dhe se ka dhënë udhëzim për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me këto vende.

Bëhet e ditur se Argjentina nuk do të ketë ambasadë në këto vende dhe se ky vendim do të zbatohet gjatë kohës që Milei do të qëndrojë në qeveri.

Në një deklaratë gjatë fushatës zgjedhore, Milei tha se ka për qëllim që tregtinë ta zhvendosë në boshtin e SHBA-së dhe Izraelit dhe se dëshiron të afrohet në çdo aspekt me këto vende.

BRICS

Grupi i vendeve të BRICS-it i cili përbën më shumë se 40 për qind të popullsisë së botës dhe më shumë se 30 për qind të produktit global, është platformë ndërkombëtare ku liderët e vendeve anëtare mblidhen në samitet që mbahen çdo vit dhe diskutojnë për çështjet globale dhe bashkëpunimin reciprok./aa