Urimin e fundvitit, kryeministri Rama e nisi me teknologjinë, si një sfidë globale, sigurisht edhe për Shqipërinë.
“Ky që po mbyllet ishte një tjetër vit i një kohe ndryshimi marramendës për njerëzimin, ndryshimi më marramendës i historisë njerëzore, ku progresi teknologjik ka hyrë në një shpejtësi të paimagjinueshme deri pak vite më parë.
Po një gjë është e sigurtë: Teknologjia as nuk na e merr dot, kohën që na është dhënë në këtë tokë me nënën, babën, fëmijët, familjen, rrethin e njerëzve të dashur, as nuk na i zëvendëson dot ata që duam e na duan, bashkë me vendin ku jemi lindur e ku flasim gjuhën e nënës”.
Për Ramën, 2023-shi ishte viti më i mirë për Shqipërinë, duke e bazuar këtë pretendim te vizitueshmëria turistike.
“Ky ishte padiskutim viti më i mirë i Shqipërisë; besimi te Shqipëria u rrit ndjeshëm, flamuri ynë u duk më bukur se asnjëherë në skenën ndërkombëtare, ndërsa vendi ynë u vizitua më shumë se në çdo vit tjetër më parë nga njerëz që erdhën nga e gjithë bota.
Ky ishte viti i hyrjes së Shqipërisë me dinjitet në hartën turistike të Europës; të ardhurat dhe siguria e Shqipërisë u rritën gjithashtu, bashkë me investimet e brendshme e të huaja, që arritën shifrën më të lartë ndonjëherë, njësoj siç u fuqizua monedha jonë, e cila nuk ka qenë kurrë më e fortë se sa sot; rritja e pagave vazhdoi për të mos u ndalur vitin e ardhshëm, kur do të arrijmë në 900 euro nivel të pagës mesatare në sektorin publik dhe do të kemi një rritje rekord të pagave në sektorin privat…
Por kjo nuk është dita e as ora për t’ju folur më gjatë për shumë gjërat e mira që u bënë këtë vit…”.
Dhe përkundër perceptimit të përgjithshëm dhe gjithnjë e më të thelluar se “ky vend nuk bëhet”, sidomos pas një zhgënjimi edhe me Rilindjen, Rama pretendon të kundërtën.
“Ç’ka kemi bërë deri këtu nuk do të kishte asnjë vlerë nëse do të ndalej këtu, por edhe me kaq e ka një vlerë të madhe për besimin se ky vend më në fund po bëhet; se ky vend ka dalë më në fund nga kthesa e gjatë dhe e vështirë e tranzicionit të mundimshëm; se këtë vend po e bëjmë ne, shqiptarët e kësaj kohe, të gjithë bashkë, hap pas hapi, duke ecur gjithnjë e më shpejt, e duke mësuar se si t’i bëjmë gjërat gjithnjë e më mirë.
Shqipëria Zonjë, nuk është më një amanet i penguar qysh prej kohës së rilindasve tanë, po është tanimë misioni ynë krejt i mundur; një realitet që ka nisur të marrë formë dhe është bërë i arritshëm me sy, si më e mira që është e gjitha përpara nesh!”, e përfundon Rama urimin e tij. /tesheshi.com/