Seanca e parë e çështjes për "gjenocid" e ngritur nga Republika e Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) do të mbahet më 11-12 janar.
Zëdhënësi i Ministrisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Bashkëpunimit të Afrikës së Jugut, Clayson Monyela në një deklaratë nga platforma e medias sociale X theksoi se seanca e parë e gjykimit është më 11-12 janar në Hagë dhe se avokatët kanë bërë përgatitjet e tyre në këtë drejtim.
Administrata izraelite ka reaguar ndaj Afrikës së Jugut e cila e ka akuzuar atë për kryerjen e gjenocidit kundër palestinezëve në Rripin e Gazës, por edhe ka njoftuar se nuk do ta bojkotojë gjykimin.
Edhe ministria e jashtme e Malajzisë, e ka mbështetur ngritjen e një padie nga Republika e Afrikës së Jugut kundër Izraelit duke e cilësuar atë si një "hap konkret" për llogaridhënie.
Sipas procedurës gjyqësore të GJND-së, vendet paditëse dhe të paditura mund të shtojnë nga në gjyqtar në panelin e përbërë prej 15 gjyqtarësh. Gjithashtu Izraeli i paditur mund të përfaqësohet nga 4 avokatë në seancë dhe mund të paraqesë në gjykatë letra të shkruara nga përfaqësuesit e vendeve mbështetëse.
GJND mund të nxjerrë një urdhër që Izraeli të ndalojë sulmet e tij në Gaza.
Afrika e Jugut ngriti padi për gjenocid kundër Izraelit
Më 29 dhjetor Republika e Afrikës së Jugut ngriti në padi në GJND me arsyetimin se Izraeli ka shkelur Konventën e OKB-së të vitit 1948 për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit me veprimet e tij që ka kryer në Gaza që nga 7 tetori dhe kërkoi marrjen e një urdhri të masës paraprake për Izraelin.
Në aplikim janë përfshirë shprehjet "Veprimet dhe neglizhencat e Izraelit janë në cilësinë e gjenocidit sepse janë kryer me qëllimin specifik të gjenocidit"
Sipas nenit 9 të Konventës së Gjenocidit, nëse një shtet shkel nenet e konventës, çdo shtet palë në konventë mund të ngrejë padi në GJND kundër shtetit shkelës.
Në rastet që kërkojnë urgjencë, GJND mund të lëshojë një urdhër mase paraprake dhe të urdhërojë ndalimin e shkeljeve në fjalë deri në përfundimin e procesit gjyqësor./aa